Rudolf MARKU - Një ballkanas në Londër

Një ballkanas në Londër është një lumë i rrëmbyer
Që i shtohet Tamizit të qetë. Në Hyde Park
Është një mal që i shtohet rrafshirës së shtrirë;
Në Trafalgar Square është një ujk i murmë
Që bisedon me katër luanët e përgjumur,
Që zgjon fantazinë e tyre të përdhosur nga turistët,
Që u mëson të ulurijnë edhe një herë si dikur.

Një ballkanas në Londër me historitë e veta
E bën të zverdhet Alfred Hitchcock-un. Sherlock Holmsi
Bën kërkesë që të dalë në pension para kohe
Para krimeve të ngatërruara që tregon ballkanasi.
Kur e merr malli për klubet e Mamurrasit,
Dëgjon BBC-në. Nuk e çudisin
Monumentet e Wellington-it e të Nelson-it,
Për Mbretëreshën thotë – Si mund të jetë Mbretëreshë
Kur i shoqi ia hyp gjithë natën e natës!

Një ballkanas në Londër e di bukur mirë
Se është i dyshimtë për Scotland Yard-in
(Më i dyshimtë është për vendin e vet)
Sheh Pub-et e zhurmshme,qent e veshur mirë,
Dhe mendon që t’udhëtojë dhe kët’ herë pa biletë.

Një ballkanas në Londër është një lumë i rrembyeshëm
Që i shtohet Tamizit të qetë.


Malet

Mbramë vonë, tepër vonë,
Atëherë kur nuk prisja as dhe një trokitje të vetme
Në oborr dëgjova një rrapullimë shurdhuese.

Pa arrogancë, por dhe pa ndonjë mirësjellje
Hynë drejt e në shtëpi.
Malet. Shkundën në pragun e shtëpisë dëborën,
Ashtu siç shkundim palltot kur hyjmë nga jashtë
Në një ditë stuhie.
Të heshtur e të mençur. Pa shkëmbyer as dhe një fjalë
Më dhanë të kuptoja se kishin bërë rrugë të gjatë.
Ca përrenj kërcenin nga prehri i tyre,
Kapriçiozë dhe njëherësh të ndrojtur,
Ashtu siç janë nipërit në praninë e gjyshërve.
Dy-tre ujq i uluritën llampës së dhomës
- konfuzion i natyrshëm me hanën.
Një ortek m’u afrua për ta përdorë si nënkresë,
Ndërsa kaprojt filluan të ndjekin në TV
Lajmet ma të fundit me të vrarët dhe bursën.

Në mëngjes herët, si të thuash, me gjelat e parë,
Ikën. Pa thënë lamtumirë, madje pa kthyer kokën pas.

Kur fëmijët u kthyen nga shkolla,
I pashë nga dritarja tek luanin për herë të parë me gurë,
Tek perpiqeshin të bënin ca mure të shtrembër që gjithsesi nuk rrëzoheshin.


Dialog i pamundur

Tashmë që kam arritë moshën e babait tim,
Pa asnjë ndrojtje, pa asnjë kompleks edipian,
E ftoj për një gotë në klub. Asht vonë,
Ecim rrugëve dhe na pëlqen të shohim vajzat e natës,
Nuk ka rendësi nëse jane prostitua a të virgjëra
E siguroj se çdo gjë do mbetet mes nesh,
Asnjë fjalë nënës në botën e përtejme.
I themi njëri-tjetrit gjithçka që nuk i thamë;
Shohim hanën, lahemi në lumë, peshkojmë, lavderojmë,
I thurim hymn vdekjes – Vetëm Vdekja ka bërë të mundur
Që unë të arrijë moshën e babait tim.

Kaq shumë vite ka pritur në një varrezë të vetmuar,
Nxitohemi të themi të gjitha gjërat që kurrë s’i thamë
E di që nesër ai do jetë i ndrojtur para meje,
si para një njeriu më të madh në moshë ,
Dhe do kërkojë që të vdesë prapë.


Trieste

Më sjell një kafe
Dhe nuk më njeh nga shenja në llërë

Mëtuesit janë perqark
Shoh harkun e stërmadh
Nuk më jepet t’u provoj se kush jam.

Një qen më afrohet te këmbët
Nuk është i sigurt nëse nuhatja e gabon

Me kalon pranë pa dyshuar asgjë.
Djaloshi me emrin Telemak

Por ajo kthehet prapë
Dhe më pëshpërit zëulët
Se sonte do më jepet e gjitha në shtrat.


Dallas

Në diten e nesërme lë Dallasin,
Token e shkretë, Down-Town-in e trishtuem,
Kaktuset e periferisë, periferinë që është Qendër,
Rrugën ku u vra J. F. Kennedy
(Ku mund të vritej më i sigurt se në Down- Town, Dallas?)
Lë qiellin mesdhetar të Dallasit,
Diellin e madh si një Cow-Boy Hat
E marr me vete
Dhe denes, dhe qaj dhe këlthas.

Dallas,Texas, një trishtim i madh,
Këtu mund të vritem dhe unë në çdo çast.

Frederik Turner le t’u shtojë lutjeve të Dallasit
Edhe një lutje për shpirtin tim,

Një përshpirtje nën zë
Për shpëtimin e ajrit, për shpëtimin e Qiellit,
Për shpëtimin e Ferrit e të Parajses e të Purgatorit
Për shpëtimin e shpirtit e mendjes e rrahjeve të zemres
Për shpëtimin e asaj që nuk mund te shpëtohet kurrrmë.

Dallas, Tx 2007

Lumenj

1.
Lumenj gjithnjë në ecje
Lumenj ku jam mbytur dhe jam ringjallë,
Lumenj që rridhni, rridhni
Poshtë Urës së Trishtimit tim të madh.
Drini, Misisipi, Danubi dhe Rini,
Tamiz River dhe Siena e butë,
Lumenj gjithnjë në ecje,
Rridhni, rridhni të qetë
Derisa të mbarojë kangën time,
Derisa të vdes.

Në brigjet e Drinit kam parë floçkat e valëve
Të kapur në gishtat e shtrira të shelgjeve
Nga urat e lumit të Tamizit
Kam parë mbi ujëra fletë gazetash
Bishta cigaresh, shpirtëra njerëzish;
Rilke më ka parë nga thellësitë e Danubit,
Siena e butë më ka thanë ninulla të rreme,
Nën ritmin e një denese të lehtë,
Ninulla që të bëjnë të çmendesh.

2.
Edhe unë mendoj se Lumi është një Zot,
Një Zot plot meshirë, një Zot ëndrrimtar,
Një Zot që perkedhel,
Një Zot vrastar!


Kam parë jeten time në ujërat e lumenjve.
Me krahët e bërë ura mbi gjunjtë e mi,
Buzë ujërash jam ulur
Edhe kam qarë.


3.
Lë Putney Bridge
Arrij Kew Bridge.

London Bridge is falling down,
falling dawn,
Në një rreth fëmijësh që kendojnë zëlartë.


Tower Bridge është ende e përgjakur,
Hammersmith Bridge dhe Albert Bridge
Unaza në gishtat e Tamizit të plakur.


4.
Drini më lindi,
Danubi më mesoi të ënderroj prapë,
Tamizi më mbyti në ujërat e veta

Drini më ringjalli prapë.

5.
Lumenj që rridhni në dejet e mi,
Drini, Misisipi, Danubi, Rin,
Thamez River dhe Siena e butë,
Lumenj që rridhni,
Pa fillim, pa fund.

6.
Urat që më thonë se do jetoj gjatë,
Unaza në gishtat e stërgjatë të Lumenjve.
Por Lumenjtë nuk janë për besnikëri bashkëshortore,
Lumenjtë që ikin pa kthyer koken
Pas.
Lumenj që rridhni, rridhni
Brenda dejeve te mi,
Për të mohuar veten.
Vdekja juaj
Është tek pafundesia e detit.

Londër, 2008