Roland GJOZA - FALJA në FESTË

Një burrrë shpatullan me mjekër gjer në brez përshkoi fshatin me një burrë të vdekur hedhur mbi kurriz. I vdekuri mbante të varur në qafë një llahutë, që pikonte gjak. Pas i ndiqte një dem i zi, një cjap, një lopë larushe dhe një grigjë rudë. Dikush shtiu me armë, një tjetër lëshoi piskamën majekrahi: Ehej, Çup Lin Delia po çon në varrezë Kin Kron Karmën. Ehej, Çup Lin Delia ka falë gjakun. Oshëtinë lugje më lugje të nëntë bjeshkët e grykës së Mugut. Ishte e diel. Festë. Festa e Shën Antonit.
Çup Lin Delia e la të vdekurin nën hijen e rrapit të Kryeziut dhe u fut në kafene. Piu verë me poçe dhe hëngri mish shqerre. Nuk tha asnjë fjalë. Të gjithë sa ishin aty, nuk e pyetën për të vdekurin. Çup Lin Delia ishte gjaksi, Kin Kron Karma ishte viktima. Po majekrahu thoshte se Çup Lin Delia kishte falë gjakun. Jo, kjo s'ishte e vërtetë, ai e kishte vrarë Kin Kron Karmën. Po pse e kishte hedhur në kurriz dhe shtegtonte bashkë me të? Ku po shkonte? Majekrahu thoshte se po e çonte në varrezë. Kjo as ishte parë, as ishte dëgjuar kurrë, kurrë më. Sipas zakonit, ai duhet ta kthente mbarë kufomën, t'i vinte pushkën në brinjë me drejtim nga poshtë, të lëshonte denamen me një zë gjëme: Ehej, e vrava Kin Kron Karmën! Pastaj gjindja e kullës të shkonte e të merrte të vdekurin. Po s'ishte dëgjuar të shkrepte ndonjë pushkë. Viktima kishte patur me vete vetëm një llahutë.
Çup Lin Delia doli nga kafeneja, hodhi mbi kurriz Kin Kron Karmën bashkë me llahutën e tij përplot gjak dhe vazhdoi udhën. Pas i ndiqte një dem i zi, një cjap, një lopë larushe dhe një grigjë rudë.
Atë ditë pa dalë agsholi, Kin Kron Karma u nis për te shtëpia e gjaksit të vet që t'i kërkonte falje. Në ditë feste mund të dilje nga ngujimi dhe të kërkoje falje me këngë llahute. Kin Kron Karma i kishte sajuar vetë vargjet. Kishte një ferishte në djep dhe një tjetër që sillej nëpër oda. Ishte koha e korrjes së misrit. Korrte natën, kur hëna merrte kahun e perëndimit dhe gjindja flinte tejpërtej. Po nuk po i dilte koha, kishin për të vdekur për bukë. Gruan nuk e nxirrte për të korrur e për të lidhur duaj, se në Kromarte, fshatin ngjitur, një grua me djep ishte qëlluar nga gjaksi. Ferishtja në djep ishte mbuluar nga gjaku. Ishte një foshnje mashkull. U mblodh fshati në kuvend dhe i dha të drejtë gjaksit, një të drejtë pergjysmë. Me kanun gjakmarrja mund të merrej mbi cilindo mashkull, përveç gruas dhe priftit. Në këtë rast foshnja duhet të kishte moshën kur pushka e mbajtur në sup t'i prekte tokën. Kjo e drejtë e foshnjes nuk ishte respektuar, kështu që gjaksi duhet të paguante borxh.
A do ta falte Çup Lin Delia?
I lidhi nëpër drunj demin e zi, cjapin, lopën larushe, grigjën rudë dhe iu afrua kullës.

* * *
Çup Lin Delia e pa nga frengjitë, rrëmbeu pushkën dhe u bë gati të shtinte mbi të. Po ky budalla, mendoi, si vjen kështu në mes të ditës, qenka marrosë krejt, qyqari. Pastaj i pa llahutën e madhe dhe e kuptoi se ai do të kërkonte falje me këngë. Le ta dëgjojmë, pëshpëriti, s' ka ku më shkon shkretani, aty e kam.
Kin Kron Karma vuri gjunjët mbi drurin e ngrënë të pragut, bëri kryq dhe filloi të këndonte.
Gjaksi kishte nxjerrë pushkën nga frengjia gati për të qëlluar. Pushka lart me grykë të gjatë të zezë, llahuta poshtë me dru panje të fërkuar me mjaltë bletësh trumze. Ja ç'këndoi viktima me një zë të përvajshëm, përplot nënshtrim fisnik:

O i zoti kullës, kërkoj falje
Shkova ma parë te krojet
Si duken vashat e Deliajve?
Krojet m'u nxinë si pisha
Shkova te grigja në bjeshkë
Si duket nanlokja e Deliajve?
Grigjës i ra ruda në bokë
Shkova te kuajt në rrah
Si asht bacaloku i Deliajve?
Kambët iu prenë katërsh
I pyeta mica, gjela
Gjelit lafsha iu ba katran
Mica u ba hi te vatra
Si ta çoj jetën qyqari
S'korret misër në dritë hane
S'bluhet me mulli kafe
Merrma jetën me një plumb
Jetën falma me një fjalë…

Çup Lin Delia qante, qante me psherëtima dhe klithma, mbështeti kokën mbi qytën e pushkës dhe mbylli sytë.
Kin Kron Karma e mbaroi këngën, ngriti pakëz kokën, po pushka nxinte në të njëjtin pozicion. Ia filloi sërish nga e para me një zë të lodhur, të zvargur, si psherëtimë:

Në gjunjë të kam ra
E kryq po baj pa pra
Mbi drunin ku shkel miku
Dru i ngranë prej pritjes

Çup Lin Delia u ligështua aq shumë, sa u bë gati të zbriste poshtë, ta fuste brenda viktimën, të pinte bashkë me të gjersa të bëheshin rrumbull të dy dhe, më në fund, ta falte. Po kjo ishte shumë e rendë. Ai i gjunjëzuari poshtë te pragu i kullës i kishte vrarë vëllanë. Jo, jo, s'duhet të harronte se eshtrat e vëllait kalbeshin prej një viti në varr. Po zemra i kishte qëlluar e dobët, i rrihte shpejt, edhe gruan kështu e kishte marrë, me zemër të dobët. Ajo djall me brina e kishte kuptuar dhe nganjëherë ia kthente fjalën. Po i kullonte gjak zemra Kin Kron Karmës, ah, ç'po ia gërvishtte dhe atij, Çup Lin Delisë me një sëmbim të dhembshur. Qante Çup Lin Delia dhe s'dinte ç'të bënte.

* * *
Kënga pushoi sërish për një grimë dhe sërish filloi me një zë më të fashitur se më parë. Kin Kron Karma ngriti sapak kokën lart, po pushka si gjithmonë nuk kishe ndërruar pozicion.
Dielli po e digjte, djersët i pikonin mbi drurin e llahutës. Orët po kalonin me këngë poshtë kullës së gjaksit, që nuk jepte shenjë. Kur e kur, njerëzit kalonin andej pari, mbanin këmbët ngjitur me viktimën dhe, krejt në heshtje, shkonin e vinin përsëri për të parë nëse gjaksi kishte hapur derën e kullës.
Po perëndonte dielli. Kishin rënë kaq herë kambanat, ai kishte ndjerë si nëpër jerm kundërmimin e temjanit dhe dyllit të qirinjve. Më në fund, i plasi gjaku, që i rrodhi mbi mjekër e gjoks, i stërpiku llahutën me pllanga të kuqe. Po i merreshin mendtë, e kishin lënë krejt fuqitë. Me gojën plot me gjak këndonte:

Merrma jetën me një plumb
Jetën falma me një fjalë...

Dikush thirri:Vdiq!
E dëgjoi lart në frengji Çup Lin Delia, që u zgjua nga gjumi. Sapo kishin pirë bashkë dhe kishin ngrënë mish dashi. Por pat qenë ëndërr. Ai kishte një kohë të gjatë që flinte me faqen e mbështetur mbi qytën e pushkës dhe, më në fund, e kishte falur. Po ishte vonë. Dyndeshin muzgjet.
Çup Lin Delia mbërriti te kulla e Kin Kron Karmës. Prapa e ndiqnin një dem i zi, një cjap, një lopë larushe dhe një grigjë rudë. Qëndronte para saj me trupin e pa jetë të viktimës mbi kurriz.